Struga shlyen mbi 1.5 milion euro borxhe
Komuna e Strugës ka shlyer mbi 1.5 milion euro detyrime të akumuluara ndër vite, përfshirë borxhe që datojnë që nga viti 2007.Sipas Komunës, rreth 570 mijë euro janë shlyer përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta me kreditorët, ndërsa rreth 200 mijë euro kamata janë falur. Përmes mekanizmit “nga borxhliu te borxhliu” janë shlyer edhe rreth 780 mijë euro detyrime.
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, tha se procesi i nisur në janar synon sanimin e financave komunale dhe uljen e barrës së borxheve të vjetra.
Sipas komunës, shlyerja e detyrimeve krijon hapësirë më të madhe për planifikimin dhe realizimin e investimeve të reja në shërbim të qytetarëve.
“Sot kemi një mesazh të qartë për qytetarët: financat e Komunës po sanohen dhe borxhet e akumuluara ndër vite po shlyhen. Këto janë detyrime që kanë rënduar financat e Komunës për vite me radhë dhe kanë kufizuar projektet në dobi të qytetarëve.Kemi marrë listat e detyrimeve dhe kemi nisur nga borxhet më të vjetra. Kemi kontaktuar kreditorët dhe, përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta, kemi arritur që të shlyejmë një pjesë të konsiderueshme të tyre. Shumae totale shkon deri në 570 000 euro”, deklaroi kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.

