Ballkani Perëndimor drejt një “Konfederate Evropiane”? Propozimi britanik që përfshin edhe Maqedoninë e Veriut
Një ide e re nga Britania e Madhe mund të hapë një debat të ri për të ardhmen e marrëdhënieve evropiane, pasi ish-deputeti konservator britanik, Nik Boules, i ka propozuar kryeministrit britanik Andy Burnham krijimin e një hapësire më të gjerë evropiane të tregtisë së lirë, në të cilën do të përfshihej edhe Ballkani Perëndimor.
Sipas propozimit, e ashtuquajtura “Konfederatë Evropiane” do të bashkonte Bashkimin Evropian, Britaninë e Madhe, Norvegjinë, Zvicrën, Ukrainën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.
Por ideja nuk do të kufizohej vetëm te bashkëpunimi ekonomik. Propozimi parasheh që kjo hapësirë të shoqërohet edhe me detyrime të përbashkëta në fushën e sigurisë, ku shtetet pjesëmarrëse do t’i ofronin mbështetje njëra-tjetrës në rast të një sulmi, sipas një modeli të ngjashëm me atë të NATO-s.
Propozimi nga Londra vjen në një moment kur edhe Brukseli po shqyrton ndryshime në mënyrën se si do të funksionojë procesi i zgjerimit të BE-së. Komisioni Evropian po punon për rregulla të reja për vendet kandidate dhe për përcaktimin më të qartë të të drejtave dhe detyrimeve të tyre, si dhe mekanizmave mbrojtës.
Sipas njoftimeve, propozimet e reja pritet t’u prezantohen liderëve të vendeve anëtare në Këshillin Evropian, në takimin që nis më 15 tetor. Megjithatë, deri tani nuk janë bërë publike detaje përfundimtare rreth ndryshimeve të mundshme.
Për Maqedoninë e Veriut, çdo ide që synon një afrim më të gjerë me strukturat evropiane merr rëndësi të veçantë, pasi vendi vazhdon të jetë i bllokuar në procesin e integrimit në BE për shkak të çështjes me Bullgarinë.
Shkupi duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë, ndërsa për këtë kërkohet shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Pa këto ndryshime, vendi nuk mund të kalojë në fazën e ardhshme të negociatave me BE-në.
Qeveria aktuale ka deklaruar se nuk do t’i miratojë ndryshimet kushtetuese pa garanci se procesi i integrimit evropian do të vijojë pa pengesa të reja.
Maqedonia e Veriut i nisi zyrtarisht negociatat për anëtarësim më 19 korrik 2022, me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez nga Kuvendi më 16 korrik të po atij viti.
Nëse ideja britanike për një “Konfederatë Evropiane” do të marrë formë konkrete, ajo mund të krijojë një nivel të ri bashkëpunimi ekonomik dhe të sigurisë për vendet që janë jashtë BE-së, por që synojnë të jenë pjesë e hapësirës evropiane.

