Zgjatet ulja e TVSH-së për naftën në 10%, masa vlen deri më 12 tetor

Masa për uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 10 për qind zgjatet deri më 12 tetor. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Sipas saj, masa synon të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet me pakicë të karburanteve dhe të kufizojë ndikimin e rritjes së çmimeve ndërkombëtare mbi produktet dhe shërbimet në vend.

Ulja e TVSH-së nga 18 në 10 për qind nisi të zbatohet më 15 shtator, ndërsa masa fillimisht skadonte sot.

Ndërkohë, Komisioni Rregullator për Energjetikë pritet të përcaktojë sot çmimet maksimale të karburanteve për shtatë ditët e ardhshme. Me vendimin e fundit, dizeli shitet me 104,5 denarë për litër, Eurosuper BS-95 me 99 dhe BS-98 me 101 denarë.

Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, ka deklaruar se Qeveria do të ndërmarrë masa nëse rritja e çmimeve përshkallëzohet, duke theksuar se zhvillimet ndikohen nga faktorë globalë dhe konfliktet e armatosura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *