Sulejmani: Brenda gjysmë viti pritet të zgjidhet problemi i mësimit në shqip në Idrizovë
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, premton zgjidhjen e problemit të mësimit në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë në Idrizovë, por pa dhënë një afat të prerë. Sipas tij, ndërtimi i katër mësonjëtoreve të reja në SHFK „Njegosh“ pritet të krijojë hapësirat e nevojshme që nxënësit të mund ta ndjekin mësimin në gjuhën shqipe në vendbanimin e tyre, shkruan Portalb.mk.
Sulejmani tha se Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e problemit, duke nisur ndërtimin e katër mësonjëtoreve të reja në SHFK „Njegosh“.
„Ne si MASH kemi përgatitur një projekt për ndërtimin e katër mësonjëtoreve të reja, me të cilat mendojmë se do ta zgjidhim problemin e hapësirës. Një nga arsyetimet se pse nxënësit duhet të udhëtojnë në shkollat e tjera është pikërisht mungesa e hapësirës“, deklaroi Sulejmani.
Sipas tij, pas përfundimit të punimeve do të shqyrtohen edhe pengesat e tjera që mund të ndikojnë në organizimin e mësimit në gjuhën shqipe, përfshirë eventualisht mungesën e kuadrit mësimor për lëndë të caktuara.
„Çdo pengesë që paraqitet do të mundohemi ta eliminojmë me një zgjidhje konkrete, në mënyrë që nxënësit më në fund procesin edukativo-arsimor ta zhvillojnë në SHF ‘Njegosh’ dhe, sipas ligjit që u takon, në gjuhën shqipe“, u shpreh ai.
Sulejmani tha se punimet për ndërtimin e mësonjëtoreve tashmë kanë filluar dhe se problemi i hapësirës pritet të zgjidhet brenda disa muajve.
„Nuk dëshiroj të flas me afate konkrete, por nuk mendoj se mund të zgjasë më shumë se gjysmë viti“, deklaroi zëvendësministri.
Nxënësit shqiptarë detyrohen të zgjedhin mes shqipes dhe udhëtimit
Nxënësit shqiptarë në Idrizovë aktualisht mund ta ndjekin mësimin në gjuhën shqipe në SHFK „Njegosh“ vetëm deri në klasën e pestë.
Për të vazhduar arsimin fillor në shqip deri në klasën e nëntë, ata duhet të udhëtojnë në një vendbanim tjetër. Alternativa tjetër është vazhdimi i shkollimit në gjuhën maqedonase.
Prindërit kanë akuzuar partitë shqiptare për neglizhencë dhe mungesë vullneti politik për zgjidhjen e problemit, ndërsa institucionet, sipas tyre, prej vitesh e bartin përgjegjësinë nga njëri te tjetri.
Prindi Rizvan Seferi tha për Portalb.mk se problemi me mungesën e mësimit në gjuhën shqipe në këtë shkollë daton që nga vitet ’70 dhe ’80. Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve ndër vite për hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe, deri më tani nuk është gjetur një zgjidhje e qëndrueshme.
Ai theksoi se çështja nuk duhet të shihet nga këndvështrimi partiak, por si një problem që prek drejtpërdrejt fëmijët dhe familjet e tyre.
„Neve nuk na intereson cila parti politike është. Na intereson që shkollën të na e ofrojnë afër shtëpisë, ashtu si nxënësit maqedonas që shkollën e kanë në oborrin e shtëpisë“, tha Seferi.
Problemi me mungesën e mësimit në gjuhën shqipe për nxënësit e Idrizovës nuk është i ri. Në vitin 2023, pas kërkesave të prindërve dhe ndërhyrjes së Ministrisë së Arsimit, ishte paralajmëruar hapja e një paraleleje në gjuhën shqipe për klasën e gjashtë në SHFK „Njegosh“. Ndërkohë, 13 nxënës shqiptarë përkohësisht u sistemuan në SHFK „Kongresi i Manastirit“ në Çair.
Megjithatë, edhe pas ndërhyrjeve të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe Avokatit të Popullit, çështja nuk është zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme. Nxënësit shqiptarë në Idrizovë vazhdojnë të përballen me të njëjtin problem, ndërsa premtimi i fundit i institucioneve është që çështja të zgjidhet brenda gjashtë muajve.

