Shkollat në Sellcë dhe Tekstile mbeten ende pa përfunduar, nxënësit presin deri vitin e ardhshëm
Shkolla fillore në fshatin Sellcë dhe shkolla e mesme “Gjoce Stojçecki” – Tekstile në Tetovë nuk pritet të përfundojnë as gjatë këtij viti shkollor. Premtimi për përfundimin e tyre është zhvendosur për fillimin e vitit të ardhshëm.
Edhe pse punimet në të dyja objektet janë duke vijuar, ende ka shumë punë deri në përfundimin e tyre.
Nga Komuna e Tetovës thonë se, sipas dinamikës së punimeve, objektet pritet të jenë gati deri në fund të vitit.
“Sa i përket shkollës së Sellcës, Qeveria për këtë vit ka ndarë 7 milionë denarë. Duhet të bëhet edhe muri mbajtës, si kusht që të zmadhohet kjo shumë. Besoj që edhe ky projekt do të jetë gati, do të rritet shuma dhe do të hapet furnizimi publik edhe për fazën e dytë. Pra, të dy shkollat, në fillim të vitit të ardhshëm, nxënësit e këtyre shkollave do të nisin mësimin në këto objekte”, deklaroi Albi Qamili nga Komuna e Tetovës.
Deri në përfundimin e objektit të ri, nxënësit e Sellcës mësimin e vijojnë në shkollën e vjetër.
Ndërkohë, nxënësit e Shkollës së Mesme Tekstile mësimin e zhvillojnë në Shkollën Fillore “Besa” në Reçicë të Vogël, ndërsa një pjesë e tyre ndjekin mësimin online.
Ndërtimi i shkollës në Sellcë u votua në seancën e Qeverisë më 26 shtator 2023, ndërsa gurthemeli u vendos më 12 shkurt 2024, pas shumë zvarritjeve dhe shkeljeve të afateve. Objekti pritet të kushtojë rreth 100 milionë denarë.
Punimet për objektin e ri të Shkollës së Mesme Tekstile dhe Gjimnazit “7 Marsi” nisën në gusht të vitit 2025. Ndërtimi i objektit pritet të kushtojë rreth pesë milionë euro, ndërsa pjesa më e madhe e mjeteve për këtë projekt është siguruar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

