Përplasje në Kuvend për qëndrimin ndaj aktgjykimit të Hagës
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pati përplasje mes deputetes së BDI-së, Rina Ajdari, dhe ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me qëndrimin e tij ndaj aktgjykimit për ish-drejtuesit e UÇK-së.
Ajdari e pyeti ministrin pse nuk shprehet qartë për pafajësinë e ish-drejtuesve të UÇK-së, por i referohet respektimit të vendimit gjyqësor dhe të drejtës për ankesë.
Shasivari e kundërshtoi këtë interpretim, duke thënë se deklarata e tij ishte shtrembëruar dhe po përdorej për qëllime politike. Ai sqaroi se qëndrimi i tij ishte dhënë para shpalljes së aktgjykimit dhe se kishte theksuar se, pavarësisht përmbajtjes së vendimit, palët kanë të drejtë ta apelojnë atë.
“Respektimi i një vendimi nuk do të thotë pajtim me përmbajtjen e tij, por shfrytëzim i mjeteve juridike, përfshirë të drejtën e ankesës”, deklaroi Shasivari.
Në deklaratën e tij të mëparshme, ministri kishte theksuar gjithashtu se në proces duhet të respektohen të drejtat e të gjithë personave të përfshirë, përfshirë viktimat e pretenduara dhe të akuzuarit, pavarësisht përkatësisë etnike.

