Rama për himnin shqiptar në Pustec: “Parodi domethënëse” dhe “cirk i nacional-folklorizmit ballkanik”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për incidentin në Pustec, ku gjatë ceremonisë zyrtare në kuadër të vizitës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u ekzekutua vetëm himni maqedonas, ndërsa himni shqiptar nuk u luajt.

Rama e cilësoi situatën si një “parodi domethënëse”, duke e lidhur atë me dallimet në qasjen ndaj marrëdhënieve dhe simboleve kombëtare në rajon.

Sipas tij, kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kishte kërkuar paraprakisht që në ceremoni të ekzekutohej edhe himni shqiptar, por kërkesa e tij ishte injoruar. Rama tha se Kolefski më pas kërkoi ndjesë për situatën, edhe pse, sipas tij, nuk mbante përgjegjësi për të.

“U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën”, shkroi Rama.

Kryeministri shqiptar theksoi se Shqipëria i ka dhënë komunitetit maqedonas në Pustec një status të veçantë, duke e paraqitur këtë si dëshmi të politikës së vendit ndaj minoriteteve.

“Për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne”, theksoi ai.

Rama kritikoi edhe ata që, sipas tij, nxisin përballje dhe reagime të ngjashme në raste të tilla, duke iu referuar “trupave të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik”.

Ai tha se Shqipëria nuk shqetësohet për vizita të tilla në territorin e saj dhe as për sovranitetin apo ekuilibrat e jetës së saj politike.

“Gjithsesi, u shpreh sot një keqardhje e sinqertë për të gjithë sponsorët e këtij cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale”, deklaroi Rama.

Në fund, ai theksoi se Shqipëria dhe Europa e Ballkanit nuk duhet të bien në nivelin e përplasjeve nacionaliste.

“Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit”, përfundoi Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *