BDI sfidon sërish pushtetin për zgjedhje të parakohshme, VLEN: E keni humbur mbështetjen
BDI-ja ka përsëritur kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke akuzuar VLEN-in se po hesht përballë kësaj kërkese, nga frika e përballjes me qytetarët.
Integristët thonë se kanë kaluar 24 orë nga kërkesa e tyre, por nga VLEN-i nuk ka pasur përgjigje.
“Kanë kaluar 24 orë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga s’Vlen-i ende asnjë fjalë. Ata që shkelën legjitimitetin, tani fshihen sapo u kërkohet që legjitimitetin ta matin para qytetarëve”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas partisë së Ali Ahmetit, VLEN-i nuk e ka dhe nuk e ka pasur mbështetjen e shqiptarëve, ndërsa heshtjen e tij e interpreton si frikë nga rezultati zgjedhor.
“Heshtja e tyre tashmë është përgjigje: kanë frikë nga qytetarët dhe nga verdikti që i pret”, deklaroi BDI-ja.
Nga VLEN-i iu përgjigjën me akuza ndaj BDI-së, duke e cilësuar atë si një parti që ka humbur mbështetjen e qytetarëve dhe duke kërkuar përgjegjësi për rezultatet e zgjedhjeve lokale.
“Para se të hapin gojën për zgjedhje, duhet të shpjegojnë pse askush në partinë e tyre nuk mori përgjegjësi politike pas humbjes në zgjedhjet lokale”, tha VLEN.
VLEN përmendi humbjen e Bujar Osmanit në Çair, të Bajram Rexhepit në Tetovë dhe të Faton Ahmetit, duke pretenduar se, pavarësisht humbjeve, drejtuesit e BDI-së vazhduan të mbajnë poste partiake.
Ndërkohë, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, me ekip dhe program të përgatitur. Megjithatë, ai theksoi se LSDM-ja nuk do të shërbejë si “alibi” për kryeministrin Hristijan Mickoski për thirrjen e zgjedhjeve.
“Çdoherë jemi të gatshëm edhe me ekip edhe me një program të mirë, me një plan që do ta prezantojmë, Master Plani për Maqedoninë, që do ta prezantojmë në fillim të shtatorit. Qytetarët e dinë ofertën tonë kurdo që të jenë zgjedhjet, por ‘alibi’ të Hristijan Mickoskit për zgjedhje nuk do të jemi”, deklaroi Filipçe.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi një ditë më parë se pushteti është i gatshëm të shkojë në zgjedhje të parakohshme nëse këtë e kërkon opozita. Ai tha se koalicioni qeverisës nuk i frikësohet përballjes me qytetarët dhe shprehu bindjen se do t’i fitojë zgjedhjet.
Megjithatë, Mickoski theksoi se qytetarët aktualisht nuk kërkojnë zgjedhje të parakohshme, ndërsa mandati i qeverisë është katërvjeçar.

