43 raste me ethe të Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut, konfirmohet edhe një shpend i infektuar

Gjithsej 43 raste të etheve të Nilit Perëndimor janë regjistruar deri tani në vend, bëri të ditur sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. Prej tyre, 40 janë konfirmuar përfundimisht, ndërsa tre raste janë konfirmuar me një test.

Sipas Klekovskit, që nga konferenca e fundit janë regjistruar katër raste të reja – dy në Qendër, një në Çair dhe një në Aerodrom. Ai tha se pasqyra klinike e rasteve mbetet standarde dhe pa ndryshime.

Ndërkohë, gjatë monitorimit të shpendëve është identifikuar edhe shpendi i parë i ngordhur pozitiv me virusin e Nilit Perëndimor. Bëhet fjalë për një korb të gjetur në Shkup.

Ministri tha se shpendët e ngordhur mblidhen nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa rezultatet përdoren për identifikimin e zonave me rrezik nga përhapja e virusit.

Klekovski bëri të ditur se aktualisht janë identifikuar 34 zona me rrezik, prej të cilave 13 konsiderohen me rrezik të lartë. Zonat përcaktohen kryesisht në bazë të pranisë së ujit të ndenjur dhe nivelit të lartë të lëndës organike, që krijojnë kushte të përshtatshme për shumimin e mushkonjave.

Ndër zonat me rrezik të lartë janë kanalet e ujitjes në Fushën e Shkupit, pjesë të lumenjve, kanalet në Jurumleri, Stajkovc dhe Singeliq, si dhe zona në Draçevë, Batincë dhe Studeniçan.

Si burime të mundshme rreziku janë identifikuar edhe gropat septike, varrezat, deponitë e gomave të vjetra, hidrantët e dëmtuar, vazot e luleve, fuçitë me ujë shiu dhe burime të tjera të ujit të ndenjur.

Klekovski theksoi se mushkonjat nuk njohin kufijtë administrativë të komunave, ndaj zonat me rrezik duhet të trajtohen në mënyrë të koordinuar.

Ai siguroi gjithashtu se spërkatja kundër mushkonjave kryhet me preparate të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *