Në Shkup u shënua 116-vjetori i lindjes së Nënë Terezës
Sot, më 26 gusht, kujtohet 116-vjetori i lindjes së Nënë Terezës, një prej figurave më të njohura shqiptare në botë dhe simbol i humanizmit, përkushtimit dhe dashurisë ndaj njerëzve në nevojë.
Në Shkup, vendlindjen e saj, u zhvilluan një sërë aktivitetesh për të përkujtuar jetën dhe veprën e shenjtores. Në mëngjes u zhvilluan homazhe pranë pllakës përkujtimore të ish-shtëpisë së familjes Bojaxhiu dhe u vendosën lule nga përfaqësues institucionalë.
“Për ne është krenari si shkupjanë, si shqiptarë dhe e kemi për obligim ta përkujtojmë veprën dhe misionin e saj, të cilin ia shpërndau gjithë botës”, deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.
Aktiviteti qendror u mbajt në Muzeun e Artit Bashkëkohor, nën patronazhin e Saliut, ndërsa i ftuar nderi ishte kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
“Sot, 116 vite pas lindjes së saj në këtë qytet, emri i Anjezë Gonxhe Bojaxhiut vazhdon të na kujtojë se një vend mund të jetë zanafilla e një historie botërore, se një identitet mund të jetë rrënjë e jo kufi dhe se shërbimi i njeriut mund të jetë një nga format më të larta të paqes”, tha Kurti.
Në kuadër të aktivitetit u promovua libri “Udha misionare e Gonxhe Bojaxhiut drejt Nënë Terezës universale”, me autorë Albert Ramaj dhe Skender Asani, ndërsa u hap edhe një ekspozitë dokumentare kushtuar jetës dhe veprës së saj.
Skender Asani nga ITSHKSH tha se përvoja e saj në Shkup e ndihmoi Nënë Terezën që më vonë, përballë njerëzve, feve, kombeve dhe kulturave të ndryshme, të shihte nevojën e njeriut dhe jo përkatësinë e tij.
Ndërsa prifti Don Lush Gjergji theksoi rëndësinë e dashurisë si mesazhi kryesor i Nënë Terezës.
Nënë Tereza, e lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ia kushtoi jetën shërbimit ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve të braktisur. Në vitin 1950 themeloi Misionaret e Bamirësisë në Kalkutë.
Në vitin 1979 u nderua me Çmimin Nobel për Paqe, ndërsa më 4 shtator 2016 u shpall shenjtore nga Papa Françesku në Vatikan.

