Sahat Kulla e Tetovës rikthehet pas një shekulli, rindërtimi pritet të zgjasë rreth 18 muaj
Rindërtimi i Sahat Kullës në Tetovë pritet të përfundojë pas një viti e gjysmë, njoftuan autoritetet gjatë inspektimit të lokacionit ku do të ngrihet objekti historik. Projekti do të realizohet me mbështetje financiare prej 200 mijë eurosh nga Komuna e Konjës në Turqi, ndërsa do të kompletohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, tha se krahas kullës do të rregullohet edhe hapësira përreth, me shtrimin e kalldrëmit dhe lidhjen me Çarshinë e Epërme. Sipas tij, ky projekt do të rikthejë një simbol të rëndësishëm të historisë së qytetit.
Ekspertët e konservimit bëjnë të ditur se Sahat Kulla daton nga shekulli XVI dhe është rrënuar në vitet ’20 të shekullit XX. Pas zbulimit të themeleve dhe hulumtimeve historike, është përgatitur projekti për rindërtimin e saj në pamjen origjinale. Punimet pritet të nisin pasi të zhvendosen rrjetet ekzistuese të ujësjellësit, kanalizimit dhe energjisë elektrike nëntokësore.

