KSHZ-ja miraton planin për zgjedhjet në Bërvenicë, 21.1 milionë denarë për procesin zgjedhor
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) miratoi njëzëri, në seancën e 14-të, vendimet dhe udhëzimet për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, të cilat do të mbahen më 18 tetor.
Kryetari i KSHZ-së, Bojan Mariçiq, informoi se për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve është paraparë një plan financiar prej 21.1 milionë denarësh, apo rreth 343 mijë euro. Mjetet, sipas tij, janë miratuar nga Qeveria në seancën e djeshme.
Nga shuma totale, 3 milionë denarë, rreth 48.8 mijë euro, janë paraparë për reklamim politik me pagesë në media, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për shpenzimet e tjera që lidhen me organizimin dhe zhvillimin e procesit zgjedhor.
KSHZ-ja miratoi edhe ndryshimin e Planit Vjetor, me futjen e një programi të ri buxhetor, Programi 21, i cili i dedikohet aktiviteteve zgjedhore.
Anëtari i KSHZ-së, Angellço Ristov, sqaroi se ndryshimi i planit është i nevojshëm për shkak të organizimit të zgjedhjeve, ndërsa janë paraparë edhe furnizimet minimale të nevojshme për procesin zgjedhor në Bërvenicë.
Anëtarët e KSHZ-së miratuan gjithashtu vendimin për përcaktimin e shpenzimeve sipas shumave reale të shpenzuara, si dhe ndarjen e mjeteve për Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Bërvenicë.
Në kuadër të përgatitjeve, do të ndahen mjete avans për njësinë rajonale të KSHZ-së në Tetovë, do të angazhohen inxhinierë të IT-së, ndërsa anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Bërvenicë do t’i nënshtrohen trajnimit të detyrueshëm për zhvillimin e zgjedhjeve të 18 tetorit.

