53 pacientë me ethet e Nilit Perëndimor, 21 të hospitalizuar – pesë kanë vdekur

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, informoi sot se në vend janë evidentuar gjithsej 53 pacientë që e kanë kaluar, e kanë ose dyshohet se kanë ethet e Nilit Perëndimor. Prej tyre, 50 raste janë konfirmuar, ndërsa tre janë të dyshuara. Të gjithë tre pacientët e dyshuar janë të hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive.

Sipas Klekovskit, 52 pacientë kanë zhvilluar formë neuroinvazive të sëmundjes.

Nga Klinika për Sëmundje Infektive, 25 pacientë janë shëruar dhe janë lëshuar për trajtim në shtëpi, ndërsa janë regjistruar pesë raste me përfundim fatal. Aktualisht, 21 pacientë janë të hospitalizuar, prej të cilëve gjashtë janë në kujdes intensiv.

Klekovski njoftoi gjithashtu se është nxjerrë një udhëzim i përditësuar për mjekët specialistë dhe mjekët amë, me theks të veçantë te pacientët që marrin terapi imunosupresive.

Sa i përket masave parandaluese, ministri bëri të ditur se ka përfunduar raundi i katërt i spërkatjes kundër mushkonjave të rritura në Shkup. Spërkatje të jashtëzakonshme, sipas indikacioneve, janë kryer në disa zona me rrezik, përfshirë Draçevën, kanalet në Gazi Babë, Zelenikovën, Studeniçanin, Butelin dhe Gjorçe Petrovin.

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë përgatitur edhe një faqe të re interneti, healthalert.mk, ku qytetarët mund të ndjekin të dhënat për rastet, zonat me rrezik dhe masat parandaluese.

Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ekziston terapi specifike antivirale. Trajtimi fokusohet në lehtësimin e simptomave, pushimin, konsumimin e lëngjeve dhe përdorimin e barnave për temperaturën dhe dhimbjet, ndërsa rastet e rënda kërkojnë hospitalizim.

Autoritetet rekomandojnë mbrojtjen nga pickimet e mushkonjave përmes përdorimit të repelentëve, veshjeve me mëngë e pantallona të gjata, rrjetave mbrojtëse në dritare dhe largimit të ujërave të ndenjura pranë shtëpive.

Qytetarët që pas pickimit nga mushkonjat shfaqin temperaturë të lartë, dhimbje të forta koke, ngurtësi të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë apo këmbë, duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *