Siljanovska-Davkova për 2 Gushtin: Ilindeni është dita më e shenjtë e Maqedonisë

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, u ka dërguar mesazh urimi qytetarëve me rastin e 2 Gushtit – Ilindenit, Ditës së Republikës, duke e cilësuar këtë datë si “ditën më të shenjtë të Maqedonisë” dhe simbol të luftës shekullore për liri dhe shtetësi.

Në mesazhin e saj, Siljanovska-Davkova thekson rëndësinë historike të 2 Gushtit 1903, kur u shpall Republika e Krushevës, si dhe të vitit 1944, kur me Sesionin e Parë të KAÇKM-së u realizua, sipas saj, e drejta e popullit të Maqedonisë për shtetin e vet, ku garantohen edhe të drejtat e komuniteteve.

Presidentja thotë se në Ilinden sheh “shkëndijën e zjarrit revolucionar” që ndriçoi rrugën drejt lirisë, duke e përshkruar këtë ngjarje si personifikim të dëshirës, vendosmërisë, këmbënguljes dhe guximit për t’u përballur me sakrificën.

Ajo thekson se “eposi i Ilindenit është një dramë popullore”, ndërsa kujton figurat historike dhe heronjtë që, sipas saj, kontribuuan në ndërtimin dhe formësimin e Republikës së Maqedonisë.

“Ilindeni na detyron të jemi trashëgimtarë të denjë dhe të përgjegjshëm, dhe jo vetëm pasardhës mirënjohës të paraardhësve të lavdishëm. Kush, nëse jo ne, do të jetë kujdestari i besëlidhjes së Ilindenit? Kur, nëse jo tani, do ta justifikojmë besimin e popullit të Ilindenit dhe Asnomit? Çfarë lloj Republike do t’u lëmë fëmijëve dhe nipërve tanë të dashur?”, thekson Siljanovska-Davkova.

Në mesazhin e saj, Presidentja u bën thirrje qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, politike apo partiake, të ndërtojnë një republikë të përbashkët evropiane dhe demokratike, të bazuar në sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushteteve.

Ajo shprehet për një shtet të vendosur në luftën kundër dhunës, korrupsionit dhe krimit, me administratë kompetente dhe efikase, shoqëri civile të zhvilluar dhe gazetari objektive, duke theksuar nevojën për mbrojtjen e së mirës së përbashkët.

“Le ta ndërtojmë Maqedoninë si një shtëpi për qytetarë të lumtur. Gëzuar Ilindenin”, përfundon mesazhin e saj Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *