ASH: Nga 46 kandidatë për Akademinë Ushtarake, vetëm një shqiptar

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj listës paraprake të kandidatëve për pranimin e kadetëve të rinj në Akademinë Ushtarake në Shkup, ku nga gjithsej 46 kandidatë, vetëm një është shqiptar.

Sipas ASH-së, kjo është dëshmi e përfaqësimit të pamjaftueshëm të shqiptarëve në institucionet e mbrojtjes dhe një tjetër dështim i VLEN-it, i cili është pjesë e Qeverisë dhe ka përfaqësues edhe në Ministrinë e Mbrojtjes.

Partia akuzon VLEN-in se nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për të nxitur dhe mbështetur të rinjtë shqiptarë që të aplikojnë në Akademinë Ushtarake.

“Të jesh në pushtet, të thirresh në përfaqësim të shqiptarëve dhe të mos jesh në gjendje të sigurosh përfaqësim elementar për bashkëqytetarët e tu shqiptarë nuk është pushtet, por është vetëm dekor”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Nga partia kërkohet që Ministria e Mbrojtjes dhe Akademia Ushtarake të japin menjëherë sqarime për përbërjen e listës, ndërsa përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri të mbajnë përgjegjësi politike.

“Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje, por përfaqësim të drejtë, të barabartë dhe dinjitoz në institucionet e shtetit”, thekson ASH-ja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *