Filipçe kërkon që Mickoski të kërkoj falje pas mbylljes së hetimit për spitalet modulare
Pas vendimit të Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për mbylljen e hetimit lidhur me furnizimin e spitaleve modulare, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i kërkoi kryeministrit Hristijan Mickoski t’u kërkojë falje qytetarëve për atë që e cilësoi si “pesë vite përhapje të lajmeve të rreme”.
Prokuroria ka konstatuar se në procedurat për furnizimin e 19 spitaleve modulare nuk ka bazë për dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo për vepër tjetër penale, ndaj lënda është mbyllur.
Filipçe tha se vendimi, sipas tij, konfirmon se gjatë ushtrimit të detyrave të tij nuk ka pasur keqpërdorim të pozitës dhe as dëm ndaj buxhetit.
Ai akuzoi Mickoskin dhe VMRO DPMNE-në se për pesë vite kanë zhvilluar një fushatë kundër tij, me akuza, ofendime dhe etiketime të rënda.
“Për pesë vite më kanë quajtur vrasës, më kanë krahasuar me vrasës dhe me doktor Mengele”, tha Filipçe, duke shtuar se ai dhe partia e tij kanë kërkuar vazhdimisht që institucionet të hetojnë të gjitha dyshimet.
Nga ana tjetër, Mickoski e cilësoi si “skandaloz” vendimin e prokurorit Islam Abazi për ndërprerjen e procedurës. Ai theksoi se në zjarrin e spitalit modular në Tetovë humbën jetën 14 persona dhe tha se vendimi nuk duhet të shihet si “amnisti politike”, pasi, sipas tij, nëse shfaqen prova të reja, rasti mund të rihapet.
Hetimi ishte hapur në shtator të vitit 2021 dhe kishte për qëllim verifikimin e dokumentacionit për furnizimet dhe përcaktimin e mundshëm të përgjegjësisë penale.
Gjatë hetimit janë shqyrtuar dokumente dhe të dhëna nga disa institucione shtetërore, ndërsa janë analizuar tre furnizime të realizuara gjatë periudhës prill-qershor 2020, në kuadër të përpjekjeve për rritjen e kapaciteteve spitalore gjatë pandemisë së COVID-19.

