Mbi 20 dyqane përfshihen nga zjarri në Shuto Orizare, nuk ka të lënduar
Mbi 20 dyqane janë përfshirë nga zjarri që shpërtheu gjatë natës në një qendër tregtare në lagjen Shuto Orizare të Shkupit. Zjarri ka nisur rreth orës 03:20, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, dyqanet e përfshira nga zjarri, ku shitej tekstil dhe mallra të tjera, janë në pronësi të një personi, i cili i kishte dhënë me qira.
“Gjatë ditës së sotme (11.09.2026), rreth orës 03:20, në SPB Shkup është raportuar se në një qendër tregtare në territorin e Shuto Orizares janë përfshirë nga zjarri mbi 20 dyqane me tekstil dhe mallra të tjera, në pronësi të S.S., të cilat i kishte dhënë me qira. Zjarri është shuar nga Brigada për Mbrojtje Kundër Zjarrit-Shkup. Nuk ka persona të lënduar”, njoftoi MPB-ja.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se në vendngjarje do të kryhet mbikëqyrje dhe do të ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.

