Taravari: Mickoski, Napoleoni i fundit i Maqedonisë
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar në Facebook ndaj politikave të Qeverisë së Hristijan Mickoskit, duke e akuzuar kryeministrin për goditje ndaj të drejtave të shqiptarëve.
Taravari shkruan se Maqedonia e Veriut e ka parë edhe më parë skenarin kur kryeministra, sipas tij, të “dehur nga pushteti”, kanë menduar se mënyra më e lehtë për të treguar forcë është të godasin shqiptarët.
“Goditje ndaj gjuhës shqipe. Relativizim i Badenterit. Dobësim i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Dhe përballë gjithë kësaj, VLEN-i hesht”, shkruan Taravari.
Ai e krahason Mickoskin me Napoleonin, duke thënë se ky i fundit filloi të humbiste kur besoi se ishte i pathyeshëm.
“Edhe Mickoski duhet ta kuptojë se shqiptarët nuk janë territori ku një kryeministër provon fuqinë e tij”, shprehet Taravari.
Në fund, ai paralajmëron se asnjë pushtet nuk është i përjetshëm dhe se, sipas tij, historia tregon se rënia fillon pikërisht atëherë kur pushtetarët mendojnë se nuk mund të bien.

