Tetë shtete të BE-së kërkojnë zgjerim pa pengesa të reja për vendet kandidate
Tetë shtete anëtare të Bashkimit Evropian – Austria, Italia, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia dhe Greqia – kanë publikuar një non-paper me të cilin kërkojnë që procesi i zgjerimit të BE-së të vazhdojë pa vendosur pengesa të reja politike apo institucionale për vendet kandidate.
Në dokument theksohet se masat mbrojtëse, periudhat kalimtare dhe mekanizmat e monitorimit për anëtarët e rinj duhet të jenë proporcionale, të kufizuara në kohë dhe të bazohen në kritere objektive. Shtetet nënshkruese paralajmërojnë se shtimi i vazhdueshëm i kushteve të reja do të demotivonte vendet kandidate, do të dëmtonte besueshmërinë e procesit të zgjerimit dhe do të dobësonte ndikimin e Bashkimit Evropian në rajon.
Non-paper-i kërkon gjithashtu që metodologjia e anëtarësimit të jetë e njëjtë për të gjitha vendet kandidate dhe të shmangen trajtimet e ndryshme nga një shtet në tjetrin. Dokumenti vjen në kohën kur Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet e bllokuar në rrugën drejt BE-së për shkak të kontestit me Bullgarinë dhe mosmiratimit të ndryshimeve kushtetuese që kërkohen për vazhdimin e negociatave.

