Ilir Hasani: Nuk lejojmë votim pa u përfshirë ligji për Përfaqësimin e Drejtë
Deputetët e opozitës shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut bllokuan punimet e seancës së sotme parlamentare, duke kundërshtuar refuzimin e shumicës për ta hedhur në votim Propozim-ligjin për Përfaqësim të Drejtë.
Përmes një sërë fjalimesh procedurale, opozita pengoi vazhdimin e seancës, duke kërkuar që ligji të vendoset në rend dite për votim para se të shqyrtohen pikat e tjera.
Deputeti i BDI-së, Ilir Hasani, deklaroi se shumica parlamentare po e shmang votimin pasi, sipas tij, nuk i ka votat e nevojshme sipas parimit të Badenterit. Ai akuzoi pushtetin se po tenton ta miratojë ligjin përmes manovrave procedurale dhe jo në një proces të rregullt e transparent.
Hasani theksoi se përfaqësimi i drejtë është një e drejtë kushtetuese dhe një nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit, duke shtuar se opozita shqiptare do të vazhdojë të përdorë të gjitha mjetet demokratike dhe parlamentare për ta mbrojtur këtë çështje.
Sipas tij, opozita nuk do të lejojë që ligji të trajtohet me kalkulime politike dhe procedurale, ndërsa paralajmëroi se bllokada do të vazhdojë derisa Propozim-ligji për Përfaqësim të Drejtë të vendoset në votim.

