Marta Kos: Maqedonia e Veriut duhet ta ndryshojë Kushtetutën për të avancuar drejt BE-së

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka përsëritur se ndryshimet e dakorduara kushtetuese janë kusht për avancimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për televizionin bullgar BNT, Kos tha se pret që vendi t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë dhe theksoi se me qeverinë e re bullgare duhet të gjendet një mënyrë për ta çuar përpara procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. 

“Unë besoj te qeveria e re bullgare, me të cilën punojmë shumë mirë. Të gjithë së bashku do të gjejmë një mënyrë për ta çuar përpara procesin me Maqedoninë e Veriut”, tha Kos.

Ajo shtoi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet ta përmbushë angazhimin e marrë për ndryshimin e Kushtetutës.

“Ata duhet ta ndryshojnë Kushtetutën. Kjo është dakorduar mes Maqedonisë së Veriut dhe 27 vendeve anëtare të BE-së”, deklaroi Kos, duke shtuar se pas realizimit të këtij angazhimi pret mbështetje edhe nga pala bullgare për vazhdimin e procesit.

Komisionerja për Zgjerim e kishte përsëritur të njëjtin qëndrim edhe gjatë vizitës së saj në Shkup në korrik. Komisioni Evropian ka theksuar se miratimi i ndryshimeve të dakorduara kushtetuese mbetet hapi i nevojshëm për hapjen formale të negociatave të anëtarësimit. 

Ndryshimet parashohin përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e popujve të tjerë, përfshirë bullgarët. Këtë angazhim e ka evidentuar edhe Komisioni Evropian në raportet e tij për vendin. 

Kos foli gjithashtu për dinamikën e zgjerimit të BE-së, duke përmendur përparimin e Malit të Zi, Shqipërisë, Moldavisë dhe Ukrainës. Sipas saj, përparimi i vendeve të tjera të rajonit mund të shërbejë si nxitje edhe për Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën.

Maqedonia e Veriut i nisi bisedimet e anëtarësimit me BE-në në vitin 2022, ndërsa ndryshimet kushtetuese janë pjesë e kushteve të përcaktuara në përfundimet e Këshillit të BE-së të korrikut 2022. Deri tani, ndryshimet përkatëse nuk janë miratuar. 

Komisioni Evropian në raportin e vitit 2025 konstatoi se nuk ishin ndërmarrë hapa për miratimin e këtyre ndryshimeve dhe bëri thirrje për veprime të shpejta dhe vendimtare për avancimin e procesit të integrimit evropian. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *