Muamed Sejdini lirohet nga paraburgimi, pranohet garancia prej mbi 1.15 milionë eurosh

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup ka pranuar garancinë prej mbi 1.15 milionë eurosh të ofruar nga ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Muamed Sejdini, duke i hequr masën e paraburgimit.

Sipas Gjykatës Penale, garancia është siguruar përmes hipotekës mbi një pronë të paluajtshme, ndërsa si masë shtesë sigurie, Sejdinit i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit.

Sejdini ndodhej në paraburgim që nga 24 prilli 2026, nën dyshimet për veprën penale “përvetësim në shërbim”. Prokuroria pretendon se, gjatë kohës kur drejtonte FFM-në, ai i ka mundësuar në mënyrë të kundërligjshme një kompanie nga Shkupi përfitim pasuror prej rreth 660 mijë eurosh, në kuadër të një projekti për ndërtimin e tribunës në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër.

Pas kërkesës së mbrojtjes për zëvendësimin e paraburgimit me garanci dhe mendimit pozitiv të prokurorit publik, gjyqtari e ka pranuar propozimin. Meqë vendimi nuk është ankimuar, ai është bërë i plotfuqishëm dhe Sejdini do të mbrohet në liri.

Avokati i tij, Shkodran Alili, njoftoi se klienti i tij është liruar nga paraburgimi, ku kishte qëndruar për 92 ditë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *