Alarm mjedisor në Shkup: Shkumë e bardhë mbulon lumin Lepenc, nisin inspektimet
Një sasi e madhe shkumë e bardhë është shfaqur në lumin Lepenc, duke ngritur dyshime për ndotje të rëndë të këtij lumi që derdhet në lumin Vardar në zonën e Karposhit.
Rasti është raportuar nga qytetarët në Qendrën për Menaxhim me Kriza, e cila ka njoftuar menjëherë Inspektoratin e Qytetit të Shkupit dhe Inspektoratin Shtetëror për Mjedisin Jetësor, me qëllim zbardhjen e shkaqeve të ndotjes. Sipas të dhënave zyrtare, raportimi është bërë rreth orës 14:30.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili paralajmëroi se institucionet do të veprojnë pa kompromis ndaj çdo përgjegjësi të mundshme.
“Nuk do të ketë tolerancë për askënd. Sapo të marrim informata më të hollësishme nga ministria kompetente për zgjidhjen e situatës, do ta informojmë opinionin”, deklaroi Gjorgjievski.
Autoritetet pritet të publikojnë rezultatet e inspektimeve dhe analizave për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për ndotje industriale apo për një shkak tjetër që ka shkaktuar shfaqjen e shkumës në lumin Lepenc.

