Meidani pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Drejtësia nuk është dhënë, ky nuk është aktgjykimi i fundit

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Meidani kujton vitin 1999, kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hapën kufijtë për refugjatët shqiptarë të Kosovës, duke e cilësuar atë periudhë si një kujtesë që, sipas tij, nuk mund të reduktohet vetëm në histori.

“Viti 1999 nuk është për mua vetëm histori. Është kujtesë”, shkruan Meidani, duke theksuar se shqiptarët e Kosovës u përballën me vrasje, dëbime dhe dhunë gjatë luftës.

Duke iu referuar aktgjykimit të sotëm, ambasadori shprehet se për të “drejtësia nuk është dhënë”, ndërsa nënvizon se vendimi është i shkallës së parë dhe se ekziston mundësia e apelimit.

“Sot, si Ambasador i Shqipërisë në Shkup, kjo peshë ndihet edhe më trishtueshëm, mes një komuniteti shqiptar që këtë luftë nuk e ka mësuar në libra. Bijtë e tij e kanë luftuar. Familjet e tij kanë sakrifikuar”, shkruan Meidani.

Ai shpreh mbështetje për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin, si dhe për familjet e tyre, duke deklaruar se beson se aktgjykimi duhet të rrëzohet në shkallët e mëtejshme të gjykimit.

“Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Është shkalla e parë. Ka apel. Dhe duhet drejtësi për çlirimtarët”, thuhet në reagimin e ambasadorit.

Në fund, Meidani shprehet se historia e luftës së Kosovës mund të gjykohet, por, sipas tij, “kurrë nuk mund të rishkruhet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *