Ethet e Nilit Perëndimor marrin viktimën e pestë, 21 pacientë të hospitalizuar
Një 73-vjeçar nga lagjja Lisiçe e Re në Shkup ka ndërruar jetë nga ethet e Nilit Perëndimor, duke e çuar në pesë numrin e viktimave nga ky infeksion në vend.
Lajmin e bëri të ditur drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana. Sipas tij, pacienti ishte trajtuar për 22 ditë në Repartin e Kujdesit Intensiv, ku kishte qenë në mbështetje respiratore dhe kishte pasur edhe disa sëmundje kronike shoqëruese.
Aktualisht, në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 21 pacientë. Te 18 prej tyre është konfirmuar forma e rëndë neuroinvazive e virusit, ndërsa tre pacientë trajtohen si raste të dyshuara.
Katër pacientë janë në gjendje kritike dhe po trajtohen në kujdesin intensiv, ndërsa të tjerët janë të hospitalizuar në Repartin për Neuroinfeksione.
Sipas Canës, në Klinikën Infektive çdo ditë pranohen pacientë të rinj, ndërsa pasqyra më e rëndë klinike vërehet te personat e moshuar. Megjithatë, mes pacientëve të hospitalizuar ka edhe të rinj, ku më i riu është 25 vjeç.
Deri tani, nga Klinika Infektive janë liruar 19 pacientë të shëruar nga ethet e Nilit Perëndimor.

