Shkup–Bllacë përplaset sërish: BDI kërkon projektin e ri, qeveria premton autostradë me trase tjetër

Për autostradën Shkup–Bllacë nuk ka projekt apo trase të re, pretendon BDI-ja, duke akuzuar qeverinë se po zbaton projektin e përgatitur gjatë kohës së Ali Ahmetit.

BEKIM REXHEPI – BDI

“Për qytetarët duhet të jetë e qartë: nuk mund të ketë ‘trase të re’ pa plan, projekt dhe akte të reja të miratuara. Prandaj, le ta publikojnë planin e ri urbanistik, projektin e ri, vendimin me të cilin është ndryshuar traseja dhe hartën e parcelave nëpër të cilat kalon rruga. Nuk ka as plan të ri urbanistik, as projekt të ri.”

Nga BDI-ja thonë se aktualisht punohet me planin dhe projektin e mëparshëm.

BEKIM REXHEPI – BDI

“Punojnë me planin dhe projektin që e ka bërë Ali Ahmeti.”

Debati vjen pas vendosjes së gurthemelit për 10 kilometrat e fundit të autostradës Shkup–Bllacë, më 26 gusht. Nga qeveria kanë deklaruar se traseja nuk do të kalojë nëpër parcelat e BDI-së.

Qeveria e kaluar, ndërsa ishte në opozitë, e kishte kritikuar projektin, duke e cilësuar si tepër të shtrenjtë dhe korruptiv.

VMRO-DPMNE – DEKLARATË E MËPARSHME

“Traseja duhet të riprojektohet dhe të fitohet autostrada me çmim shumë më të ulët. BDI-ja dhe LSDM-ja nuk kanë punuar që të ketë autostradë, por për të përfituar.”

Autostrada Shkup–Bllacë ka gjatësi totale prej rreth 12 kilometrash. Ndërtimi kishte nisur në vitin 2020, por për gjashtë vjet u ndërtuan vetëm rreth dy kilometra.

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, ka deklaruar se punimet në terren do të nisin pas përfundimit të procedurave administrative dhe se autostrada pritet të përfundojë për rreth tre vjet e gjysmë. Projekti parashikon pesë tunele, dy galeri dhe 12 ura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *