LSDM akuzon Qeverinë për lobim në SHBA, VMRO-DPMNE: Po sjellim investime

LSDM akuzon Qeverinë se agjenda e kryeministrit Hristijan Mickoski në Shtetet e Bashkuara po mbështetet përmes lobimit të financuar nga kompania private ATS Group. Opozita pretendon se, sipas dokumenteve të regjistrit FARA, kompania paguan 130 mijë dollarë në muaj për firmën lobuese Mercury Public Affairs.

Sipas LSDM-së, materialet e lobimit përfshijnë tema që lidhen me partneritetin strategjik SHBA–Maqedoni e Veriut, energjinë, investimet amerikane dhe sektorin e mbrojtjes. Partia kërkon sqarime të veçanta për përfshirjen e antimonit si çështje me interes shtetëror, duke kërkuar publikimin e dokumentacionit dhe hetimin e rastit.

Nga VMRO-DPMNE i kanë hedhur poshtë akuzat, duke theksuar se bëhet fjalë për marrëveshje private mes kompanive dhe se Qeveria nuk ka lidhje me të. Nga partia në pushtet akuzojnë LSDM-në për përhapje të dezinformatave dhe thonë se vizita e Mickoskit në SHBA ka në fokus thellimin e partneritetit strategjik dhe sigurimin e investimeve në sektorë si energjetika, antimon dhe qendrat e të dhënave.

LSDM ndërkohë kërkon transparencë të plotë lidhur me dokumentet dhe aktivitetet lobuese, ndërsa VMRO-DPMNE e cilëson reagimin e opozitës si pjesë të kritikave politike ndaj Qeverisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *