27 zjarre në 24 orë në vend, tetë mbeten aktive – flakët përfshijnë disa zona

Gjithsej 27 zjarre janë regjistruar në vend gjatë 24 orëve të fundit, deri në orën 7:30 të mëngjesit të sotëm. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), tetë vatra mbeten aktive, dy janë vënë nën kontroll, ndërsa 16 janë shuar plotësisht.

Zjarret aktive janë përhapur në disa rajone të vendit. Në Komunën e Studeniçanit, zjarri në zonën ndërmjet fshatrave Moranë, Vërtekicë dhe Ramni Gaber po përfshin pyll të përzier. Vatra aktive raportohen edhe në territorin e Makedonski Brodit, ku po digjen vegjetacion i ulët, shkurre dhe pyll me dushqe.

Zjarre aktive ka edhe në Likovë, pranë fshatit Nikushtak, në Krushevë, pranë Belushinos, ku zjarri është riaktivizuar dhe një krah po lëviz drejt Jakreneves, si dhe në zonën e Lomnicës në Vrapçisht, Brodecit në Tetovë, Bonçes në Prilep dhe Cerovës në Zhelinë.

Në Cerovë, ekipet e Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë, në koordinim me QMK-në, kanë ndërhyrë intensivisht për lokalizimin e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij në sipërfaqe më të mëdha.

Ndërkohë, nën kontroll janë vënë zjarri në deponinë e Dellçevës dhe ai në territorin e fshatit Çanishte të Prilepit, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit janë shuar plotësisht zjarre edhe në disa komuna të tjera, përfshirë Gostivarin, Mogillën, Kavadarin, Resnjën, Vallandovën, Kërçovën, Kumanovën, Tetovën, Mavrovën dhe Rostushën, Sveti Nikollën dhe Ohrin.

QMK-ja njofton se në disa prej këtyre lokacioneve zjarret kanë përfshirë kryesisht vegjetacion të ulët, mbeturina dhe deponi, ndërsa ekipet zjarrfikëse vazhdojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në zonat ku vatrat mbeten aktive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *