LSDM akuzon Qeverinë për kontratë 100 mijë euro pa tender për ujë në Gostivar, Qeveria dhe kompania i mohojnë pretendimet


Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) akuzoi Qeverinë se, përmes Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, ka lidhur kontratë në vlerë prej 100 mijë eurosh për furnizim me ujë të pijshëm pa shpallje publike, në kuadër të krizës me ujin në Gostivar.

Sipas LSDM-së, kontrata është realizuar me negocim të drejtpërdrejtë me kompaninë “Kozhuvçanka”, në pronësi të kryetarit të Komunës së Kavadarit, Mitko Jançev. Partia opozitare pretendon se pushteti po krijon praktikë për furnizime pa tender, duke favorizuar kompani të afërta me qeverinë.

Qeveria i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar si të pavërteta dhe dezinformuese. Nga ekzekutivi sqaruan se procedura me negocim është zhvilluar për shkak të nevojës urgjente për furnizim me ujë falas për qytetarët e Gostivarit, ndërsa kompania “Kozhuvçanka” është përzgjedhur përmes tenderit, duke ofruar çmim prej 12,5 denarësh për një shishe 1.5 litra, ose gjysmën e çmimit të saj në treg.

Edhe kompania “Kozhuvçanka” mohoi pretendimet e LSDM-së, duke theksuar se ka marrë pjesë në thirrjen publike dhe se diferencën mes çmimit të tregut dhe çmimit të ofruar e mbulon vetë si akt përgjegjësie shoqërore. Kompania njoftoi gjithashtu se transporti i ujit drejt Gostivarit do të realizohet pa pagesë.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se situata epidemiologjike në Gostivar po monitorohet vazhdimisht dhe se më 3 gusht janë regjistruar 78 kontrolle mjekësore, gjashtë më pak se një ditë më parë.

Kriza me ujin në Gostivar nisi pasi më 17 korrik Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndaloi përdorimin e ujit për pije, pas zbulimit të ndotjes së rëndë të sistemit të ujësjellësit. Për rastin janë arrestuar drejtoresha e NP “Komunalec” dhe dy të punësuar, ndërsa hetimet treguan se uji ishte i ndotur në nivele shumë të larta me baktere koliforme, duke e bërë të papërdorshëm për çdo qëllim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *