Marta Kos: BE-ja në dialog me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Specialen

Bashkimi Evropian ka nisur dialog me Qeverinë e Kosovës lidhur me ndryshimet e miratuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale në Hagë.

Këtë e bëri të ditur komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, e cila paralajmëroi se ndryshimet e miratuara mund të rrezikojnë përparimin e arritur nga Kosova.

“Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës rrezikojnë të minojnë çdo përparim, por veçse jemi në dialog sa i përket këtyre ndryshimeve me Qeverinë e Kosovës”, deklaroi Kos gjatë një konference për media në Bruksel, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ndryshimet në ligj u iniciuan nga Partia Demokratike e Kosovës dhe u miratuan më 6 tetor në Kuvend. Megjithatë, pas shqetësimeve të shprehura nga Bashkimi Evropian dhe kthimit të ligjit për rishqyrtim nga presidentja Justina Shiroka Pula, më 22 tetor, çështja mbetet e hapur.

BE-ja ka paralajmëruar se ndryshimet mund të bien ndesh me zotimet ndërkombëtare të Kosovës dhe të cenojnë pavarësinë e Gjykatës Speciale.

Ndër ndryshimet kryesore parashihet kufizimi i juridiksionit të gjykatës kryesisht në veprat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për trafikim organesh, shkurtimi i periudhës kohore të trajtimit të krimeve, transferimi i disa rasteve në gjykatat e Kosovës, si dhe kufizimi i dënimeve maksimale në 15 vjet burgim.

Ndryshimet parashohin gjithashtu mundësinë e faljes presidenciale për të dënuarit nga Specialja.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian kërkon që për çdo diskutim të ri parlamentar për këtë ligj të konsultohet paraprakisht, duke u thirrur në zotimet e Kosovës të vitit 2014, përmes letërkëmbimit ndërmjet presidentes së atëhershme Atifete Jahjaga dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *