Zyrtari policor në Shkup dyshohet për keqpërdorim detyre, dëmtoi buxhetin me të paktën 85 mijë denarë

Një zyrtar policor nga Sektori për Punë të Brendshme në Shkup dyshohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej të paktën 85.500 denarësh. Sipas Prokurorisë Publike, ai në disa raste nuk i arkëtonte gjobat përmes terminalit POS, por merrte para në dorë dhe i përvetësonte.

Prokuroria ka nisur procedurë penale ndaj policit nga Departamenti për Siguri në Komunikacionin Rrugor të SPB Shkup, nën dyshimin për veprën penale të vazhdueshme “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare”.

Sipas hetimeve, në periudhën prill-korrik të këtij viti, i dyshuari përpilonte procesverbale për kundërvajtje ndaj drejtuesve të automjeteve të larguara me automjetin special “merimangë”, por në vend që pagesat t’i realizonte përmes POS terminalit, i merrte në para të gatshme. Për të mbuluar veprimet, ai bashkëngjiste fletëpagesa të mëparshme të personave të tjerë, ndërsa paratë i mbante për vete.

Prokuroria dyshon gjithashtu se në disa raste ai ka shqiptuar gjoba më të ulëta nga sa parashikonte ligji, duke i kualifikuar kundërvajtjet si më të lehta, ndërsa në raste të tjera nuk ka përpiluar fare procesverbale dhe ka lejuar që automjetet e ndaluara të largoheshin nga depoja pa u gjobitur.

Për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit mbi dëshmitarët dhe mundësisë së përsëritjes së veprës penale, prokurori ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *