Von der Leyen: Javën e ardhshme hap i ri për zhbllokimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha në Shkup se që javën e ardhshme duhet të ndërmerret një hap i ri për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Hristijan Mickoski, Von der Leyen deklaroi se gjatë takimit është dakorduar që procesi të rifillojë dhe të kalojë në një fazë të re.

“U dakorduam që të kemi një hap të parë të ri javën e ardhshme dhe të përpiqemi ta zhbllokojmë procesin dhe, në fakt, ta shndërrojmë atë në një proces”, tha Von der Leyen.

Sipas saj, Maqedonia e Veriut mund të përparojë me shpejtësi në procesin e anëtarësimit pasi të tejkalohet bllokada aktuale. Ajo vlerësoi reformat e zbatuara deri më tani, duke theksuar se ende mbetet punë për t’u bërë.

Von der Leyen tha gjithashtu se BE-ja është e gatshme ta mirëpresë Maqedoninë e Veriut me identitetin dhe gjuhën maqedonase.

“Ne do ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin e saj dhe me gjuhën e saj. Besojmë se kultura maqedonase dhe gjuha maqedonase mund ta bëjnë Unionin tonë më të pasur”, deklaroi ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian rikujtoi se negociatat e anëtarësimit kanë nisur në vitin 2022, ndërsa procesi i skriningut është përfunduar në dhjetor të vitit 2023. Hapi i radhës lidhet me hapjen e klasterit të parë, “Themeloret”.

Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski tha se Maqedonia e Veriut kërkon një proces të drejtë, të parashikueshëm dhe të bazuar në rregulla të qarta.

Duke folur për marrëdhëniet me Bullgarinë, Mickoski tha se pret përfshirje më të madhe të BE-së në proces, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje që, sipas tij, do të garantojë se detyrimet e dakorduara vlejnë për të gjitha palët dhe se nuk do të ketë kushte të reja dypalëshe.

Von der Leyen gjatë vizitës në Shkup do të takohet edhe me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, ndërsa së bashku me Mickoskin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikoloski, do të vizitojë projektin e financuar nga BE-ja për hekurudhën e Korridorit VIII.

Vizita në Maqedoninë e Veriut përmbyll turneun e saj në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit ajo vizitoi edhe Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *