Dy shtetas të Kosovës arrestohen në Shkup, policia konfiskon valuta me vlerë rreth 230 mijë euro
Dy shtetas të Republikës së Kosovës janë arrestuar në Shkup nën dyshimin për veprën penale “falsifikim i parave”, pasi policia gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin gjeti valuta të ndryshme me vlerë të përgjithshme prej rreth 230 mijë eurosh.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 3 gusht 2026, nëpunësit policorë të Njësitit të Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup kanë privuar nga liria F.R. (30) dhe T.T. (44). Gjatë kontrollit të automjetit tip “Golf”, në të cilin ndodheshin dy të dyshuarit, janë gjetur euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane dhe paund britanikë.
Paratë janë konfiskuar, ndërsa të dy personat janë shoqëruar në Stacionin Policor Qendër për procedurë të mëtejshme.
Pas dokumentimit të plotë të rastit dhe në koordinim me prokurorin publik, ndaj tyre do të parashtrohet kallëzim përkatës.

