Kitanoviq kërkon falje për përfshirjen e Mickoskit dhe Qeverisë, por nuk tërhiqet nga qëndrimet e tij
Drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, u ka kërkuar falje kryeministrit Hristijan Mickoski dhe anëtarëve të Qeverisë, pasi postimi i tij për Ratko Mlladiqin shkaktoi reagime të shumta politike dhe publike.
Kitanoviq tha se postimin e kontestuar e ka fshirë menjëherë dhe se është i gatshëm të mbajë përgjegjësi për fjalët dhe veprimet e tij, por jo për atë që, sipas tij, të tjerët kanë manipuluar me deklaratat e tij.
Ai theksoi se nuk pranon që fshirja e postimit të interpretohet si pranim i diçkaje që nuk e ka bërë dhe akuzoi kundërshtarët politikë për, siç tha, “linçim politik” dhe “damkosje publike”.
Reagimet nisën pasi Kitanoviq publikoi në Instagram një fotokompozim ku Ratko Mlladiqi paraqitej së bashku me figura të historisë serbe, mes tyre edhe Drazha Mihajlloviq, ndërsa mbi fotografi shkruhej “Gjeneralët e ushtrisë qiellore”.
Postimi shkaktoi reagime nga LSDM-ja, BDI-ja, SDA-ja e Maqedonisë dhe PLD-ja, si dhe nga organizata të shoqërisë civile, të cilat kërkuan përgjegjësi për glorifikimin e një personi të dënuar për gjenocid dhe krime lufte.
Kitanoviq mohoi se qëllimi i tij ka qenë të ofendojë apo të lëndojë pjesëtarë të ndonjë populli, feje apo bashkësie etnike. Ai tha se qëndrimi i tij lidhet edhe me përvojën personale të familjes së tij në Bosnjë e Hercegovinë, duke pretenduar se disa familjarë të tij i kanë mbijetuar luftës falë njësive të rregullta ushtarake të udhëhequra nga Mlladiqi.
Megjithatë, ai theksoi se kjo përvojë personale, sipas tij, nuk nënkupton mohim apo nënvlerësim të vuajtjeve të viktimave të tjera.
Ndërkohë, Qeveria e kishte ftuar Kitanoviqin të japë dorëheqje nëse nuk pajtohet me qëndrimin se Mlladiqi është dënuar për gjenocid dhe krime lufte. Në mbështetje të tij doli Partia Demokratike e Serbëve në Maqedoni.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot, në përgjigje të pyetjes së Portalbit se kur do të shkarkohet Kitanoviqi, tha se vendimin për këtë e merr Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

