Sulejmani: Është gjetur zgjidhje për paralelen shqipe në “Penko”, por pa sqarime konkrete

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka njoftuar se është gjetur zgjidhje për problemin e paraleles me mësim në gjuhën shqipe në SHF “Petar Zdravkovski-Penko” në Butel, por nuk ka bërë të ditur se çfarë parashikon konkretisht zgjidhja, raporton Portalb.mk.

Sulejmani, përmes një statusi në rrjetet sociale, tha se çështja është zgjidhur përmes koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Komunës së Butelit.

“Me kënaqësi ju njoftoj se çështja e paraleles në gjuhën shqipe në SHF ‘Penko’ është zgjidhur përmes koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Komunës së Butelit”, shkroi Sulejmani.

Ai theksoi se zgjidhja është në përputhje me Ligjin për Arsimin Fillor dhe në interesin më të mirë të nxënësve, duke shtuar se ajo garanton respektimin e të drejtës për arsimim dhe krijimin e kushteve për vijimin e mësimit në gjuhën shqipe.

Megjithatë, zëvendësministri nuk sqaroi nëse paralelja shqipe do të vazhdojë të funksionojë në SHF “Penko”, nëse do të rihapet apo nëse është dakorduar ndonjë masë tjetër konkrete mes Ministrisë dhe Komunës së Butelit.

Ndërkohë, këshilltarët shqiptarë nga VLEN dhe AKI kanë lëshuar seancën e sotme të Këshillit të Komunës së Butelit, ku u diskutua edhe për mbylljen e paraleles shqipe në shkollën fillore “Petar Zdravkovski-Penko”.

Problemi nisi pasi në këtë shkollë u mbyll një paralele me mësim në gjuhën shqipe për klasën e parë, me arsyetimin se nuk kishte numër të mjaftueshëm nxënësish që i përkasin territorit të Komunës së Butelit.

Edhe pse kishte interesim për regjistrimin e nxënësve shqiptarë, udhëheqja e shkollës nuk pranoi fëmijët shqiptarë që jetojnë në rrugët kufitare me Butelin, por adresat e të cilëve figurojnë në Komunën e Çairit.

Drejtoresha e SHF “Petar Zdravkovski-Penko”, Mevlide Kryeziu, ka konfirmuar mbylljen e një prej paraleleve shqipe, duke thënë se vendimi është marrë për shkak të numrit të pamjaftueshëm të nxënësve që i përkasin zonës së shkollës.

Ajo ka deklaruar se bëhet fjalë për riorganizim dhe jo për mbyllje përfundimtare të mundësisë për hapjen e paraleleve të reja.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës për vitin shkollor 2024/2025, në Komunën e Butelit ka gjithsej 5.276 nxënës. Prej tyre, 2.971 janë shqiptarë, 1.741 maqedonas, 230 turq, 165 boshnjakë, 100 romë, 18 serbë dhe të tjerë.

SHF “Petar Zdravkovski-Penko” ka mbi 1.700 nxënës, ndërsa rreth 90 për qind e tyre janë shqiptarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *