Mickoski nuk e shkarkon Kitanoviqin pas glorifikimit të Mlladiqit: “Nuk duhet ta kryqëzojmë”
Drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, nuk do të shkarkohet nga detyra, pavarësisht se përmes një postimi në Facebook kishte glorifikuar Ratko Mlladiqin, i dënuar për krime lufte. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se Kitanoviq e ka kuptuar gabimin, e ka tërhequr postimin dhe ka kërkuar falje, ndaj nuk duhet të kërkohet përgjegjësi penale ndaj tij, transmeton Portalb.mk.
Mickoski theksoi se qëndrimi i Kitanoviqit është individual dhe nuk përfaqëson qëndrimin e Qeverisë.
“Nëse jemi Qeveri koalicioni dhe nëse në mënyrë koalicioniste i mbrojmë të gjitha qëndrimet, atëherë çdo veprim individual është veprim individual dhe qëndrim individual dhe nuk ka kurrfarë lidhjeje me qëndrimet e Qeverisë”, tha Mickoski.
Sipas tij, nuk ka informacion se veprimi i Kitanoviqit përbën vepër penale.
“Zotëria e tërhoqi qëndrimin e tij, kërkoi falje dhe mendoj se tani nuk duhet ta kryqëzojmë për diçka dhe të kërkojmë përgjegjësi penale për diçka që vetë e ka kuptuar se ka gabuar, ka kërkuar falje dhe e ka tërhequr qëndrimin e tij”, u shpreh kryeministri.
Kitanoviq, pas dy ditësh heshtjeje, e fshiu postimin dhe i kërkoi falje kryeministrit Mickoski. Kjo ndodhi pasi Qeveria e kishte bërë thirrje të largohej nga detyra nëse nuk pajtohej me qëndrimin se Ratko Mlladiqi është kriminel lufte.
Megjithatë, Kitanoviq nuk e ka pranuar drejtpërdrejt se Mlladiqi, i cili vdiq javën e kaluar në Hagë në moshën 83-vjeçare, është kriminel lufte.
Në reagimin e tij, Kitanoviq tha se postimin e kishte fshirë menjëherë dhe se ishte i gatshëm të mbante përgjegjësi për çdo fjalë të tij, por jo për, siç tha, “manipulimet e të tjerëve” me fjalët e tij. Ai mohoi se kishte për qëllim të ofendonte, poshtëronte apo lëndonte pjesëtarë të ndonjë populli, feje apo komuniteti etnik, duke e cilësuar reagimin ndaj tij si “fushatë politike”.
Ndërkohë, opozitarja LSDM e kritikoi sërish Mickoskin, duke e akuzuar se me moskërkimin e dorëheqjes dhe përgjegjësisë nga ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoiljkoviq, dhe drejtori Kitanoviq, tregon se pajtohet me qëndrimet e tyre publike lidhur me Ratko Mlladiqin.

