Sali: Zgjerimi i BE-së është çështje sigurie, RMV përballë ndryshimeve kushtetuese
Në kushtet e reja gjeopolitike, zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk duhet të shihet vetëm si projekt ekonomik, por edhe si çështje e sigurisë dhe stabilitetit, porositi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali. Ai tha se Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera kandidate duhet ta përshpejtojnë procesin e reformave përmes bashkëpunimit ndërmjet qeverive, parlamenteve dhe aktorëve politikë.
“Në një kohë kur Evropa përballet me sfida gjeopolitike të paprecedenta, pasiguri dhe ndikime të dëmshme të jashtme, lënia e pjesëve të kontinentit tonë në një zonë gri nuk është një opsion. Prandaj, zgjerimi duhet të mbetet një investim strategjik për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, tha Sali.
Nga Delegacioni i BE-së në Shkup kërkuan që momenti i ri për zgjerimin të shndërrohet në reforma konkrete dhe rezultate të besueshme. Zëvendësshefi i Delegacionit të BE-së, Ben Nupnau, theksoi rëndësinë e integrimit gradual, përmes të cilit qytetarët dhe bizneset do t’i ndjejnë përfitimet e BE-së gjatë procesit të anëtarësimit.
Mbështetje për perspektivën evropiane të vendit dha edhe Gjermania. Ambasadorja gjermane Petra Drexler tha se reformat, vlerat demokratike dhe sundimi i ligjit mbeten bazë e procesit të zgjerimit, ndërsa zhvillimet gjeopolitike e kanë rritur rëndësinë e perspektivës evropiane për stabilitetin e rajonit.
Deklaratat u bënë në kuadër të Takimit Ndërrajonal të Kryenegociatorëve dhe Përfaqësuesve të Lartë Përgjegjës për Integrimin Evropian, i cili u zhvillua në Shkup me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Ballkani Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, si dhe përfaqësuesve të BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ende përballet me kushtin për ndryshimin e Kushtetutës. Ndryshimet parashikojnë përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë.
Më 19 korrik 2022, vendi mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, pas miratimit të propozimit francez nga Kuvendi më 16 korrik 2022.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash, ndërsa pa miratimin e tyre procesi i negociatave nuk mund të kalojë në fazën e ardhshme. Propozimi francez i vitit 2022 u miratua në Kuvend pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme, e cila aktualisht është pjesë e pushtetit.

