Butel: Prindërit kërkojnë zgjidhje për paralelen e pestë shqipe, peticion në Komunë dhe Ministrinë e Arsimit
Ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare për hapjen e paraleles së pestë në gjuhën shqipe në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski – Penko” në Butel të Shkupit. Prindërit e nxënësve që nuk janë pranuar në këtë shkollë kanë dorëzuar peticion në institucionet kompetente, pasi, sipas tyre, paralelja ende nuk është rikthyer, ndonëse më herët zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, kishte deklaruar se problemi ishte zgjidhur.
Sipas prindërve, deri tani janë pranuar vetëm nxënësit që kanë vëlla ose motër që ndjekin mësimin në këtë shkollë, ndërsa fëmijët e tjerë vazhdojnë të mbeten jashtë.
“Dje kemi dërguar peticion te Komuna e Butelit dhe te Ministria e Arsimit. Janë pranuar vetëm ata që kanë vëlla ose motër që ndjekin mësimin në këtë shkollë, të tjerët jo. Mbrëmë kemi pasur takim me përfaqësues të shkollës. Na thanë që paralelja nuk do të mbyllet dhe se do të pranohen të gjithë nxënësit. Tash jemi duke e pritur”, deklaroi njëri nga prindërit për Portalb.mk.
Në peticionin drejtuar Komunës së Butelit dhe Ministrisë së Arsimit, prindërit shprehin shqetësimin se, sipas informacioneve që posedojnë, për disa nxënës është bërë përjashtim nga kriteret e përcaktuara, duke u lejuar regjistrimi në gjuhën maqedonase dhe turke pa ndonjë ndalesë apo kufizim.
Sipas tyre, një praktikë e tillë selektive ngre dyshime për trajtim të pabarabartë dhe diskriminim mbi baza etnike dhe gjuhësore.
Prindërit tani presin që institucionet kompetente të ndërmarrin hapa konkretë dhe që të gjithë nxënësit të pranohen në paralelen në gjuhën shqipe, siç u është premtuar nga përfaqësuesit e shkollës.

