Brukseli nuk bën përjashtim: Shoferët e Ballkanit mbeten nën rregullin 90/180, transportuesit paralajmërojnë bllokada
Brukseli nuk bën përjashtim për shoferët profesionistë nga Ballkani Perëndimor. Pritjet se Bashkimi Evropian do të ofronte një regjim të veçantë për transportuesit nga Maqedonia e Veriut dhe rajoni, të paktën për momentin, kanë marrë fund. Komisioni Evropian ka konfirmuar se rregulli i qëndrimit deri në 90 ditë brenda çdo periudhe prej 180 ditësh vazhdon të zbatohet, ndërsa transportuesit paralajmërojnë bllokime të mundshme të kufijve të Shengenit nga 14 shtatori nëse nuk gjendet një zgjidhje konkrete.
Për shoferët profesionistë, çdo hyrje pune në zonën Shengen regjistrohet si qëndrim, pavarësisht se ata nuk udhëtojnë si turistë, por transportojnë mallra apo pasagjerë. Ditët e hyrjes dhe daljes llogariten si ditë të plota, çka bën që shoferët që udhëtojnë shpesh në disa vende evropiane ta arrijnë relativisht shpejt kufirin e lejuar prej 90 ditësh.
Komisioni Evropian thekson se Sistemi i Hyrjes/Daljes (EES) nuk ka vendosur kufizime të reja, pasi rregulli 90/180 ka ekzistuar edhe më herët. Megjithatë, sistemi elektronik, i cili është plotësisht funksional që nga 10 prilli 2026, regjistron automatikisht kalimet kufitare dhe e bën më të lehtë evidentimin e personave që tejkalojnë afatin e lejuar të qëndrimit.
Sipas shpjegimeve të Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, shoferët mund të shmangin regjistrimin në EES nëse kanë leje qëndrimi në një shtet anëtar ose nëse autoritetet kompetente kufitare i njohin si punëtorë ndërkufitarë. Megjithatë, as ky status nuk krijon një përjashtim të përgjithshëm nga rregulli 90/180 në të gjithë zonën Shengen.
Ndërkohë, strategjia e vizave e Komisionit Evropian, e prezantuar në janar, për herë të parë i përfshiu në mënyrë të qartë shoferët e kamionëve ndër profesionet me lëvizshmëri të lartë që mund të merren në konsideratë për zgjatjen e qëndrimeve afatshkurtra. Por bëhet fjalë për shqyrtim të mundësive për rregulla të reja dhe jo për një zgjidhje tashmë të miratuar.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Markus Lammert, deklaroi se Brukseli mbetet në kontakt me partnerët nga Ballkani Perëndimor, por nuk konfirmoi nëse takimi i paralajmëruar për statusin e shoferëve profesionistë është zhvilluar më 1 shtator. Vizat dhe lejet e qëndrimit afatgjatë të lëshuara nga shtetet individuale anëtare mbeten ndër opsionet e mundshme.
Ministria e Transportit e Maqedonisë së Veriut njoftoi se po punon për zgjidhje dypalëshe me disa vende evropiane. Sipas ministrisë, marrëveshje janë arritur me Zvicrën, Kroacinë dhe Rumaninë, ndërsa bisedimet vazhdojnë me Austrinë, Gjermaninë dhe Slloveninë.
Transportuesit nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi kërkojnë që qëndrimi i tyre të llogaritet sipas orëve të kaluara realisht në territorin e BE-së ose t’u jepet një status i posaçëm profesional.
Shoferët profesionistë nga vendi, të organizuar nga Asociacioni i Transportit “Makam-trans”, më 31 gusht protestuan para selisë së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, duke kërkuar zgjidhjen e problemit me kufizimin e qëndrimit në zonën Shengen.
Me këtë problem përballen rreth 17 mijë shoferë profesionistë nga Maqedonia e Veriut, ndërsa në nivel të Ballkanit Perëndimor numri arrin në rreth 100 mijë.
Në janar të këtij viti, transportues nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina bllokuan pikat e ngarkesave në vendkalimet kufitare, duke kërkuar përjashtim nga sistemi i kontrollit të hyrjeve dhe daljeve në BE. Bllokada, e cila zgjati pothuajse katër ditë, u ndërpre pas premtimeve se strategjia e re e vizave e Komisionit Evropian do të hapte rrugë për zgjidhjen e problemit.
Megjithatë, disa muaj më vonë, një përjashtim konkret ende nuk është miratuar, ndërsa transportuesit paralajmërojnë se nëse nuk ofrohet një zgjidhje kalimtare, protestat mund të përshkallëzohen me bllokime të kufijve të Shengenit.

