Nis gjykimi për rastin makabër, Prokuroria: Motivi i vrasjeve ishte nekrofilia, seanca shtyhet

Seanca e parë gjyqësore ndaj 25-vjeçarit T.B. nga Nagoriçani i Vjetër, i akuzuar për katër vrasje dhe dy tentativa për vrasje, është shtyrë sot në Gjykatën Themelore të Kumanovës, pasi i akuzuari u deklarua i pafajshëm, ndërsa avokati i tij hoqi dorë nga përfaqësimi.

Procesi nisi me procedurat e zakonshme, por gjatë seancës i akuzuari fillimisht nuk komunikoi me gjykatësin dhe refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve. Pas një ndërprerjeje të shkurtër, ai konfirmoi identitetin dhe deklaroi se e kupton aktakuzën, por mohoi fajësinë.

Pas këtij qëndrimi, avokati Dragan Trajkoviq njoftoi se ishte këshilluar me klientin që ta pranonte fajësinë, por për shkak se kjo nuk ndodhi, hoqi dorë nga mbrojtja dhe kërkoi që gjykata t’i caktojë një mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Në fjalën hyrëse, prokurori publik Ljubomir Lape e cilësoi rastin si të paprecedentë në praktikën gjyqësore të Maqedonisë së Veriut dhe ish-Jugosllavisë. Ai tha se Prokuroria do të paraqesë prova që, sipas saj, dëshmojnë se i akuzuari ka kryer me paramendim katër vrasje dhe dy tentativa për vrasje ndaj grave, ndërsa motiv dominues i krimeve, sipas aktakuzës, ka qenë nekrofilia.

Sipas Prokurorisë, viktimat ishin kryesisht gra të moshuara dhe të vetmuara, të cilat dyshohet se u sulmuan në banesat e tyre gjatë periudhës janar 2025 – shkurt 2026. Gjatë procesit pritet të paraqiten prova materiale, ekspertiza mjeko-ligjore dhe psikiatrike, si dhe dëshmitë e grave që i mbijetuan sulmeve.

Për shkak të tërheqjes së avokatit, gjykatësi e shtyu seancën dhe caktoi vazhdimin e gjykimit më 31 gusht, në orën 11:00, pasi të caktohet një mbrojtës i ri sipas detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, 25-vjeçari përballet me akuza për katër vrasje dhe dy tentativa për vrasje. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon dënim nga të paktën 10 vjet burg deri në burgim të përjetshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *