Vuçiq kritikon reagimet në Maqedoninë e Veriut pas dënimit të ish-drejtuesve të UÇK-së

Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së shkaktoi reagime edhe në Beograd. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media foli për dënimet ndaj ish-liderëve të UÇK-së, por vëmendjen e përqendroi edhe te reagimet e zyrtarëve nga rajoni.

Vuçiq veçanërisht iu referua deklaratave nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke pretenduar se disa prej tyre nuk e kishin trajtuar aktgjykimin vetëm si një vendim gjyqësor, por si padrejtësi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Në fjalimin e tij, presidenti serb përmendi zëvendëskryeministrin dhe ministrin për Çështje Evropiane, Bekim Sali, kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, si dhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Vuçiq citoi deklaratën e Saliut se vendimi në Hagë është “dënim për popullin e UÇK-së për lirinë” dhe se historia e lirisë së Kosovës nuk mund të fshihet.

Ai iu referua edhe reagimit të Afrim Gashit, i cili kishte vlerësuar kontributin e ish-drejtuesve të UÇK-së në luftën për lirinë e Kosovës dhe kishte theksuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Në këtë kontekst, Vuçiq bëri një krahasim me reagimet hipotetike të institucioneve serbe ndaj aktgjykimeve kundër ish-zyrtarëve serbë të dënuar nga Tribunalet Ndërkombëtare, duke përmendur emrat e Pavkoviqit, Stanishiqit, Mlladiqit dhe Karaxhiqit.

Presidenti serb përmendi gjithashtu reagimin e Ali Ahmetit, i cili bëri thirrje për arsye dhe unitet, duke theksuar se askush nuk duhet ta nënçmojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës.

Vuçiq tha se reagime të ngjashme kanë ardhur edhe nga pjesë të tjera të rajonit, duke përmendur Kroacinë dhe shqiptarët në Mal të Zi.

Në fund, presidenti serb ngriti pyetjen nëse qëndrimet e tilla mund të ndikojnë në procesin e integrimit evropian të vendeve që kanë shprehur mbështetje për ish-drejtuesit e UÇK-së.

Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është i shkallës së parë dhe i nënshtrohet procedurës së apelit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *