Mickoski në Uashington: Fokus te investimet amerikane në energjetikë, teknologji dhe infrastrukturë
Kryeministri Hristijan Mickoski zhvilloi në Uashington një sërë takimesh me përfaqësues të institucioneve amerikane, Kongresit dhe sektorit ekonomik, ku në fokus ishin forcimi i partneritetit strategjik dhe mundësitë për investime të reja në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë vizitës, Mickoski u takua me Carolyn Vik, drejtoreshë e politikave dhe ushtruese e detyrës së drejtorit për zhvillim në Korporatën Amerikane për Financim të Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC).
Në takim u diskutua për mundësitë e investimeve amerikane në vend, me fokus të veçantë në sektorët e energjetikës, teknologjive të avancuara dhe infrastrukturës.
Mickoski zhvilloi takime edhe me kongresmenin Keith Self dhe kongresmenen Claudia Tenney. Sipas Qeverisë, gjatë këtyre takimeve u diskutua për partneritetin strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, bashkëpunimin politik dhe mundësitë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Nga Qeveria bëjnë të ditur se qëllimi i vizitës është që partneriteti me Shtetet e Bashkuara të përkthehet në bashkëpunim konkret ekonomik, tërheqje të investimeve të reja dhe realizim të projekteve strategjike në vend.

