Tabanoc, radhë të gjata për pagesën e gjobave nga “Safe City”
Radhë të gjata automjetesh janë krijuar sot në pikën kufitare Tabanoc, ku shtetas të huaj po presin për të paguar gjobat për kundërvajtje në komunikacion, të evidentuara nga sistemi “Safe City”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka deklaruar se askush nuk mund t’i shpëtojë sistemit “Safe City” gjatë qarkullimit në rrugët e Maqedonisë së Veriut ku janë vendosur kamerat për matjen e shpejtësisë, pavarësisht nëse automjeti ka targa vendore apo të huaja.
Sipas tij, nuk do të ketë përjashtime dhe çdo drejtues që shkel rregullat e komunikacionit do të sanksionohet, pavarësisht shtetit nga i cili vjen.
Kur sistemi “Qyteti i Sigurt” u vendos në fillim të këtij viti, ishte njoftuar se automjetet me targa të huaja nuk do të ndaloheshin në momentin e daljes nga vendi për kundërvajtjet e evidentuara.
Megjithatë, drejtuesit e tyre do të njoftohen zyrtarisht se nuk do të mund të hyjnë sërish në Maqedoninë e Veriut pa e shlyer gjobën.
Pamjet nga Tabanoci tregojnë fluks të shtuar të automjeteve dhe pritje të gjata të drejtuesve që po kryejnë pagesën e gjobave.

