Rriten biletat e autobusëve Tetovë–Shkup dhe Kumanovë–Shkup
Pas rritjes së çmimeve të derivateve të naftës, nga dje janë shtrenjtuar edhe biletat e autobusëve për transportin ndërurban në vend.
Bileta nga Tetova për në Shkup është rritur nga 200 në 250 denarë për një drejtim, ndërsa bileta vajtje-ardhje tani kushton 500 denarë. Nga Kumanova për në Shkup, çmimi është rritur nga 170 në 200 denarë për një drejtim, ndërsa vajtje-ardhje kushton 400 denarë.
Rritja ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët, veçanërisht te studentët dhe personat që udhëtojnë çdo ditë për në Shkup për punë apo studime.
Për një person nga Tetova që punon në Shkup dhe merr pagë minimale prej rreth 26 mijë denarësh, shpenzimet mujore për transport, nëse udhëton 22 ditë pune, arrijnë në rreth 11 mijë denarë, ose 42 për qind të pagës. Për një udhëtar nga Kumanova, shpenzimet mujore për vajtje-ardhje arrijnë në rreth 8.800 denarë, ose 33 për qind të pagës.
Studentët thonë se rritja e çmimeve e rëndon më tej buxhetin e tyre, pasi transporti është një shpenzim i përditshëm dhe i domosdoshëm.
Nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës për Portalb.mk deklaruan se, në kushtet e ekonomisë së tregut, çmimet formohen sipas parimeve të tregut të lirë. Sipas ministrisë, aktualisht nuk ekzistojnë kushtet ligjore për kufizimin e çmimeve të biletave të transportit ndërurban.
Portalb.mk ka kërkuar sqarime edhe nga kompania Rule Turs lidhur me arsyet e rritjes së çmimeve, por deri në publikimin e lajmit nuk ka marrë përgjigje.
Ndryshe, rritja e çmimeve të biletave të transportit ndërurban ka nisur që në shkurt të vitit 2022 dhe që atëherë ato janë shtrenjtuar disa herë. Qytetarët dhe studentët janë ankuar vazhdimisht për këtë problem.

