Reagojnë liderët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Beteja juridike vazhdon
Pas aktgjykimit të sotëm ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë reaguar liderë të partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim. Në dënimet e shqiptuara llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Gjykata i shpalli të pafajshëm për disa vepra të tjera.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tha se për shqiptarët, katër ish-krerët e UÇK-së “janë dhe mbeten çlirimtarë të Kosovës”. Ai theksoi se aktgjykimi është i shkallës së parë dhe se procesi juridik vazhdon.
“Beteja për drejtësi vazhdon. Andaj, sot është dita të qëndrojmë bashkë, me dinjitet e qetësi dhe të dëshmojmë se mendjet dhe zemrat tona janë pranë çlirimtarëve dhe familjeve të tyre”, shkroi Gashi.
Kreu i Lëvizjes Demokratike, Bilall Kasami, e cilësoi vendimin si të rëndë, duke deklaruar se ai, sipas tij, nuk e ndryshon të vërtetën historike për luftën e UÇK-së. Kasami shprehu pritjen që vendimi të rishqyrtohet dhe të rrëzohet në Apel.
Edhe Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike, tha se UÇK-ja, sipas tij, ka zhvilluar luftë mbrojtëse për liri, pavarësi dhe dinjitet. Ai kundërshtoi çdo përpjekje për ta lidhur luftën e UÇK-së me veprimtari kriminale.
Ndërkohë, kryetari i “Lidhjes Shqiptare”, Ziadin Sela, bëri thirrje për qetësi dhe durim, duke theksuar se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar dhe se “fjala e fundit akoma s’është thënë”.
Reagim pati edhe nga Ali Ahmeti, i cili tha se disa fakte duhet të kujtohen sa herë që, sipas tij, tentohet që UÇK-ja të paraqitet si “ndërmarrje kriminale”. Ai shprehu bindjen se gjetjet e shkallës së parë do të kundërshtohen në procedurën e apelit.
“Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund”, shkroi Ahmeti.
Aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë, ndërsa palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

