Mbyllja e hetimit për spitalet modulare përplas partitë: VMRO-DPMNE kërkon përgjegjësi, LSDM akuzon për manipulim
Përplasjet politike janë rikthyer pas vendimit të Prokurorisë për mbylljen e lëndës për prokurimet publike dhe ndërtimin e 19 spitaleve modulare në vend. Lënda ishte hapur pas tragjedisë së 8 shtatorit 2021 në spitalin modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona.
VMRO-DPMNE akuzon prokurorin Islam Abazi se ka mbyllur procedurën ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçes, dhe kërkon përgjegjësi për mënyrën e realizimit të projektit. Nga kjo parti pretendojnë gjithashtu se çmimi i spitaleve modulare ishte rritur me 20 për qind përmes një aneksi të kontratës dhe kërkojnë sqarim se ku kanë përfunduar këto mjete.
Dënime morën vetëm ish-drejtorët e Spitalit Klinik në Tetovë, Florin Besimi dhe Artan Etemi, dhe atë me dënime me burgim me kusht, ndërsa u dënua edhe spitali si person juridik me gjobë. Por për “trurin” e operacionit të spitaleve modulare, Venko Filipçen, Prokuroria, paramendoni, thotë se nuk ka qenë fajtor. Dhe këtë, pas pesë vitesh, e thotë prokurori i cili gjatë gjithë mandatit të tij u shërben vetëm LSDM-së dhe BDI-së.
Edhe VLEN kërkon transparencë dhe përgjegjësi për tragjedinë, duke kërkuar nga Abazi shpjegime të qarta për arsyet e mbylljes së hetimit. Partia njëkohësisht kritikon Ali Ahmetin dhe BDI-në për, siç thotë, heshtjen lidhur me rastin.
Në anën tjetër, LSDM i kundërpërgjigjet VMRO-DPMNE-së, duke e akuzuar se prej vitesh e përdor tragjedinë e Tetovës si mjet për përballje politike me Venko Filipçen. Sipas LSDM-së, Filipçe dhe partia nuk kanë ndërhyrë në punën e Prokurorisë dhe spitalet modulare janë ndërtuar në kohën e krizës së COVID-19 me qëllim të shpëtimit të jetëve. LSDM kërkon nga VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski të kërkojnë falje familjeve të viktimave, duke i akuzuar për manipulim me dhimbjen e tyre.
Për pesë vjet, as Filipçe dhe as LSDM-ja nuk janë përzier në punën e Prokurorisë Publike. Nuk kanë ushtruar presion. Nuk e kanë komentuar procedurën. Nuk kanë kërkuar mbrojtje. Sepse institucionet duhet të punojnë në mënyrë të pavarur dhe pa presion.
Prokuroria, ndërkaq, ka vlerësuar se nuk ekziston dyshim i bazuar për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare në procedurat e prokurimit për 19 spitalet modulare.

