Rexhep Meidani reagon pas vendimit të Hagës: Drejtësia e munguar duhet të jepet

Ish-Presidenti i Shqipërisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Rexhep Meidani, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vite burg.

Meidani ka kritikuar përbërjen e trupit gjykues, duke theksuar se asnjë prej gjyqtarëve nuk është nga Kosova dhe se procesi nuk është zhvilluar në territorin e Kosovës.

“Aktgjykimi i sotëm në Hagë mban emrin e popullit të Kosovës, por asnjë gjyqtar i atij trupi gjykues nuk i përket Kosovës e nuk e kupton atë”, shkroi Meidani.

Ai theksoi se aktgjykimi është i shkallës së parë dhe se procesi gjyqësor vazhdon, ndërsa kërkoi që drejtësia të jepet duke marrë parasysh, sipas tij, vullnetin e popullit të Kosovës.

Meidani nënvizoi gjithashtu rëndësinë e kontekstit historik të luftës së Kosovës, duke deklaruar se Kosova ishte viktimë e dhunës së shtetit serb dhe jo palë e barabartë me agresorin.

Ish-Presidenti shqiptar shprehu mbështetje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke thënë se një vendim gjyqësor nuk mund t’ua ndryshojë vendin që, sipas tij, kanë në historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve.

Në reagimin e tij, Meidani u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që dënimet të kundërshtohen përmes të gjitha mjeteve ligjore në dispozicion.

“Prandaj besoj se këto dënime duhet të kundërshtohen deri në shkallën e fundit, me çdo mjet ligjor në dispozicion”, shkroi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *