Ligji për “Shkupin – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028” shtyhet pas pushimit veror

Ligji për zbatimin e projektit “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028” nuk do të jetë pjesë e rendit të ditës së seancës së 119-të të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, e cila mbahet sot, transmeton Portalb.mk.

Vendimi është marrë pas një koordinimi të jashtëzakonshëm mes kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashit, dhe koordinatorëve të grupeve parlamentare. Sipas marrëveshjes, ligji pritet të vendoset në rendin e ditës të një seance të re pas pushimit veror të deputetëve.

Më herët, deputetët e opozitës nga BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe Lidhja Shqiptare reaguan ashpër, duke akuzuar Gashin se nuk po e respekton Rregulloren e Kuvendit dhe se materialet për ligjin nuk u janë dorëzuar në gjuhën shqipe. Pas këtyre reagimeve, Gashi thirri koordinatorët e grupeve parlamentare në një koordinim të jashtëzakonshëm.

Propozues i ligjit është grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë, kundër miratimit të ligjit me procedurë të shkurtuar ka reaguar edhe Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftën kundër korrupsionit. Nga atje kërkuan që Kuvendi të ndalojë menjëherë procedurën, duke shprehur shqetësim për propozimin që për zbatimin e projektit të themelohet Fondacioni “Kryeqyteti Evropian i Kulturës – Shkup 2028”, ndërsa për prokurimet e tij të mos zbatohet Ligji për Prokurimet Publike.

Platforma thekson se e njeh rëndësinë kulturore dhe shoqërore të projektit, por vlerëson se përmasat e tij dhe fondet publike që do të shpenzohen kërkojnë më shumë transparencë, llogaridhënie dhe mekanizma për mbrojtjen nga korrupsioni.

Reagim ka pasur edhe nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Nga KSHPK thonë se integriteti, ligjshmëria, transparenca dhe llogaridhënia gjatë shpenzimit të mjeteve publike janë parakushte themelore për mbrojtjen e interesit publik dhe parandalimin e korrupsionit.

Sipas tyre, çdo përjashtim nga ligjet sistemore, veçanërisht nga Ligji për Prokurimet Publike, duhet të arsyetohet qartë dhe bindshëm, si dhe të shoqërohet me mekanizma efikasë për parandalimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të mjeteve publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *