BE: Madhërimi i kriminelëve të luftës nuk ka vend në vendet që synojnë anëtarësimin
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup i është përgjigjur letrës së tetë organizatave të shoqërisë civile nga Maqedonia e Veriut, lidhur me deklaratat publike të drejtorit të Agjencisë për Ushtrimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq.
Sipas organizatave të shoqërisë civile, Delegacioni i BE-së ka bërë të ditur se është në dijeni të plotë të rastit, po i ndjek nga afër zhvillimet dhe qëndrimin e tij tashmë ua ka përcjellë autoriteteve kompetente.
“Qëndrimi i Bashkimit Evropian për Ratko Mladiqin është i qartë – madhërimi i kriminelëve të luftës nuk ka vend në vendet që i përkasin BE-së ose që aspirojnë të bëhen anëtare të saj”, thuhet në përgjigjen e Delegacionit të BE-së.
Në përgjigje theksohet gjithashtu se Bashkimi Evropian është themeluar mbi respektimin e dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë dhe mosdiskriminimit.
“Duke qenë në përputhje me këto vlera themelore, nuk ka vend në shoqërinë evropiane për mbështetjen e mohimit të gjenocidit, apo për lavdërimin e personave të dënuar ligjërisht për krime lufte nga Tribunali i Hagës dhe pasardhësi i tij ligjor”, thuhet më tej.
Maqedonia e Veriut ndërkohë vazhdon të përballet me kushtin për ndryshimin e Kushtetutës, në mënyrë që në të të përfshihen bullgarët dhe komunitete të tjera, si një nga hapat për avancimin e procesit të integrimit evropian.
Më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, duke shënuar fillimin formal të negociatave të anëtarësimit, pas miratimit të propozimit francez.
Ndryshimet kushtetuese kërkojnë një shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Pa miratimin e tyre, procesi i negociatave për anëtarësim në BE nuk mund të avancojë në fazat e mëtejshme.

