27 persona nën hetim për patentë-shoferët: Kategoritë C dhe D dyshohet se shiteshin për 1.400 euro

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj 27 personave, të dyshuar për përfshirje në disa vepra penale që lidhen me regjistrimin e paligjshëm të kategorive në patentë-shoferë.

Sipas Policisë, keqpërdorimet dyshohet se kanë nisur që nga viti 2020 dhe janë realizuar përmes ndryshimit të paligjshëm të të dhënave në sistemin elektronik dhe lëshimit të dokumenteve publike me përmbajtje të pavërtetë.

Në qendër të hetimit është një e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila dyshohet se ka futur në mënyrë të paligjshme të dhëna në sistem dhe ka mundësuar regjistrimin e kategorive në patentë-shoferë.

Policia bëri të ditur se e punësuara kishte qenë e pezulluar nga puna nga viti 2021 deri në vitin 2025, por pas një vendimi gjyqësor ishte rikthyer në vendin e punës. Pas zbulimit të rastit të fundit, ajo është pezulluar sërish.

Hetimi ka zbuluar edhe katër persona që dyshohet se kanë vepruar si ndërmjetësues. Sipas Policisë, ata kanë gjetur persona të interesuar, i kanë lidhur me punonjësen zyrtare dhe kanë koordinuar të gjithë procedurën, deri në regjistrimin dhe miratimin e paligjshëm të kategorive në sistemin elektronik.

Bëhet fjalë për dhjetëra raste të dyshuara të falsifikimit të patentë-shoferëve.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike – Shkup njoftoi më 12 shtator se janë kryer kontrolle në 32 lokacione në Shkup, përfshirë banesa dhe hapësira zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në kuadër të hetimit për falsifikimin e patentë-shoferëve.

Hetimi kishte nisur muajin e kaluar nga Kontrolli i Brendshëm i MPB-së, pas dyshimeve se punonjës të shërbimeve administrative, kundrejt pagesës prej rreth 1.400 eurosh, u kishin regjistruar në mënyrë të paligjshme kategoritë C dhe D në patentë-shoferë personave që nuk kishin dhënë provimet për drejtimin e kamionëve dhe autobusëve.

Sipas informacioneve të deritanishme, personat e interesuar dyshohet se e kanë anashkaluar tërësisht procesin e rregullt. Në vend të trajnimeve dhe provimeve të detyrueshme, ata kanë paguar dhe kategoritë u janë shtuar drejtpërdrejt në patentë-shoferë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *